Islami është rruga e vërtet
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Etapat e krijimit të njeriut dhe fundi i jetës së tij

Shko poshtë

    Etapat e krijimit të njeriut dhe fundi i jetës së tij Empty Etapat e krijimit të njeriut dhe fundi i jetës së tij

Mesazh  muslim Thu Jul 14, 2011 9:45 pm

Transmetohet nga AbduRrahmani, Abdullah Ibn Mes’udi[radijAll-llahu anhu] ka thënë: N ka treguar i Dërguari i All-llahut[salAllahu alejhi ve selem] i cili gjithnjë fliste drejt dhe besoheshin fjalët e tij, se:

“Secili prej jush formohet në barkun (mitrën) e nënës dyzet ditë si ‘nutfe’ (pikë), pastaj shëndërrohet në ‘alaka’ (gjak i ngjizur), në një periudhë të afërt me të parën, pastaj transformohet në ‘mudga’ (copë mishi), në një periudhë të afërt me të parën. Pastaj Allahu dërgon një engjëll, i cili fryn në të shpirtin dhe urdhërohet të shkruaj katër gjëra: riskun e tij, sa do të jetojë, punët që do të kryejë dhe a do të jetë i lumtur apo i mjerë. Betohem në Allahun, përveç të Cilit nuk ka Zot tjetër, dikush prej jush do të punojë prej punëve të njerëzve të Xhennetit, derisa të mbetet mes tij dhe Xhennetit vetëm një pëllëmbë, por pastaj ndodh ajo që është caktuar më parë në libër dhe ai punon prej punëve të banorëve të Zjarrit, ndaj dhe futet në të. Dikush tjetër do të punojë prej punëve të banorëve të Zjarrit, derisa të mbetet mes tij dhe Zjarrit vetëm një pëllëmbë, por pastaj ndodh ajo që është caktuar më parë në libër, dhe ai punon prej punëve të njerëzve të Xhennetit, ndaj dhe futet në të”. Transmeton Buhariu dhe Muslimi

Rëndësia e hadithit

Ky hadith ka një rëndësi të veçantë, sepse shpjegon fazat, në të cilat kalon embrioni në barkun e nënës, pra në mënyrën se si krijohet njeriu, krijesa më e nderuar dhe më e lartë. Gjithashtu, në hadith flitet edhe për caktimin e Allahut, besimi në të cilin është shtylla e gjashtë e besimit, ndaj dhe besimi i muslimanit nuk plotësohet pa të.

Fazat e krijimit të njeriut

Fazat e krijimit të njeriut në barkun e nënës, siç shpjegohen në hadith, janë si më poshtë:

1.Nutfe – pikë: Kjo është faza e parë, nëpër të cilën kalon embrioni në barkun e nënës, pas bashkimit të qelizës mashkullore, spermatozoidit dhe qelizës femërore, vezës. Kuptimi original i fjalës ‘nutfe’ është ‘ujë i pastër’, ndërsa në hadith ka kuptimin ‘spermë’. Kjo fazë, ashtu siç thotë dhe Profeti [salAllahu alejhi ve selem] zgjat dyzet ditë.

2.Aleka – gjak i trashë i mpiksur: Kjo është faza e dytë, nëpër të cilën kalon embrioni në barkun e nënës. Edhe kjo fazë zgjat dyzet ditë, siç përmendet dhe në hadith.

3. Mudga – copë mishi në madhëesinë e kafshatës: Kjo është faza e tretë, nëpër të cilën kalon embrioni në barkun e nënës. Kjo fazë është quajtur me këtë emër, pasi embrioni në këtë kohë ka madhësinë e një kafshate. Edhe kjo periudhë zgjat dyzet ditë.

4. Fryerja e shpirtit.

Ne nuk jemi në gjendje të përcaktojmë me ekzaktësi se ç’është shpirti, por mund të themi që shpirti është ajo gjë që i jep jetë njeriut. Allahu në Kur`an thotë:

“Të pyesin ty për shpirtin. Thuaj, shpirti është prej çështjeve që i përkasin vetëm Zotit tim, ndësa juve nuk u është dhënë veçse një pjesë fare e vogël e dijes”. (El Isra, 85)

Besimi në Caktimin e Allahut

“…dhe urdhërohet të shkruajë katër gjëra: riskun e tij, sa do të jetojë, punët që do të kryejë dhe a do të jetë i lumtur apo i mjerë…”

Në këtë pjesë të hadithit përmenden disa çështje që kanë të bëjnë me Caktimin e Allahut. Duhet të kemi parasysh se kjo gjë ka lidhje me dijen e plotë dhe të pakufizuar të Allahut, i Cili e di se ç’ka ndodhur në të shkuarën dhe se ç’do të ndodhë në të ardhmen. Duke u bazuar në dijen e Tij të plotë, Allahu i Lartësuar ka shkruar në Libër 1, çdo gjë që do t’i ndodhë njeriut. Por shkrimi i kësaj gjëje nuk do të thotë se njeriu nuk është në gjendje të zgjedhë me vullnetin e tij të lirë, pasi dija e Allahut nuk e pengon njeriun që të zgjedh atë që dëshiron. Nga ana tjetër, argumentet që vërtetojnë faktin se njeriu mund të zgjedhë me vullnetin e tij të lirë, janë të shumta sin ë Kur`an ashtu edhe në Sunnet.

Punët janë në varësi të përfundimit

Veprat që kryejnë njerëzit në këtë botë, duhet të jenë patjetër në përputhje të plotë me atë që ka shkruar më parë Allahu në Librin që e përmendëm më parë:

- njeriu, për të cilin është shkruar në libër se është prej banorëve të Xhennetit, do të mundësohet që të kryejë prej atyre veprave që e fusin në Xhennet, edhe nëse gjatë një periudhe të jetës së tij kryen vepra të banorëve të Xhehennemit.

- Në të njejtën mënyrë, njeriu, për të cilin është shkruar në libër se është prej banorëve të Xhehennemit, do të mundësohet që të kryejë prej atyre vepra që e fusin në Xhehennem, edhe nëse gjatë një periudhe të jetës së tij kryen vepra të banorëve të Xhennetit.

Çfarë mësojmë nga ky hadith?!

1. Muslimani duhet t’i lutet gjithmonë Allahut që t’ia forcojë besimin dhe ta ndihmojë në vazhdimin e rrugës së Imanit deri në vdekje. Profeti [salAllahu alejhi ve selem] gjithmonë ka pasur zakon që të bënte këtë dua:

“O Zoti im! Ti je Ai që i ndryshon zemrat e robërve të Tu. Forcoi zemrat tona në fenë Tënde”. Transmeton Hakimi2

2. Punët që kryen njeriu janë shkaku i hyrjes në Xennet apo në Xhehennem.

3. Njeriu duhet ta falenderoj Krijuesin e tij, i Cili e krijoi nga asgjëja e përsosi, duke zbatuar urdhërat e Tij e duke u larguar nga ato vepra të këqija që na ka ndaluar Ai.

4. Mjerimin dhe lumturinë nuk mund t’i dijë kush përveç Allahut.

5. Muslimanit i lejohet që të betohet për t’i vërtetuar dikujt një lajm të vërtetë.

6. Njeriu duhet të jetë i bindur plotësisht që furnizimi është në dorën e Allahut. Ai duhet të përpiqet që ta fitojë atë duke përdorur mjetet dhe mënyrat e lejuara pa e tejkaluar kufirin siç veprojnë ata njerëz, të cilët janë gati të sheshin fenë, nderin dhe familjen për përfitime materiale, sado të vogla qofshin, pasi Islami e hedh poshtë thënien: ‘Qëllimi justifikon mjetin’.

7. Jeta e njeriut është në dorën e Allahut. Njeriu nuk mund të vdesë para se të plotësohet mosha e caktuar nga Allahu, pastaj ai s’duhet të frikësohet nga askush dhe duhet të jetë i guximshëm.

8. Nuk ka dyshim se Allahu do t’i ringjallë njerëzit, pasi Ai që i krijoi ata për herë të parë është në gjendje që t’i krijojë për së dyti.

9. Të bazuar në këtë hadith, disa dijetarë kanë thënë se nëse gruaja dështon pasi kanë kaluar katër muaj nga fillimi i shtatëzanisë, është e lejuar që t’i falet namazi i xhenazes foshnjës së vdekur.

"Sikur njerezit te kishin dashur te jene te ditur aq sa duan te jene te pasur dhe te bukur, nuk do te kishte pasur mbi siperfaqen e tokes kaq shume injorante". - Jakup Hasipi (Allahu e meshirofte)



muslim
muslim
Admin

Numri i postimeve : 124
Join date : 13/07/2011
Age : 29
Location : Kosovo

https://islami-rruga-evertet.forumsr.com

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi