Islami është rruga e vërtet
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Mësim mbi Drogat

Shko poshtë

    Mësim mbi Drogat Empty Mësim mbi Drogat

Mesazh  muslim Tue Jul 19, 2011 4:30 am

Pyetje dhe Përgjigje
1. Çka janë drogat?

Drogat janë substanca kimike psikoaktive me origjinë natyrale dhe sintetike që ndikojnë në ndryshimin e funksionimit të organizmit, ndryshimin e perceptimeve, gjendjes emocionale dhe të sjelljes së njeriut.


2. Sa lloje të drogave ekzistojnë?

Ekzistojnë shumë lloje të drogave dhe grupime të ndryshme të tyre. Sipas efektit që shkaktojnë drogat ndahen në tri kategori: halucinogjenë, stimulantë dhe depresantë.


3. Çka janë drogat Halucinogjene?

Nën ndikimin e drogave halucinogjene, njerëzit shohin, dëgjojnë, përjetojnë gjëra të cilat në realitet nuk ekzistojnë. Këto përjetime quhen halucinacione. Drogat të cilat japin efekt halucinogjen janë: kanabisi (marihuana dhe hashishi), LSD dhe kërpudhat magjike.


4. Çka janë drogat Stimulante?

Janë aato droga të cilat e shpejtojnë aktivitetin e organizmit: shpejtojnë të rrahurat e zemrës, frymëmarrjen dhe aktivitetin e trurit. Drogat të cilat japin efekt simulant janë: kokaina, ekstazi, amfetamina etj.


5. Çka janë drogat Depresante

Janë ato droga të cilat e ngadalësojnë aktivitetin e organizmit: zvogëlojnë të rrahurat e zemrës, ngadalësojnë frymëmarrjen dhe funksionimin e trurit. Këtë efekt e jep kjo drogë: heroina.


6. Çka përmbajnë drogat?

Drogat nuk janë të njëjta për nga përmbajtja. Secila drogë përmban substancën e vetë aktive: p.sh. duhani përmban nikotinën, marihuana (THC-Tetra Hidro Canabinol), heroina (opium), kokaina (coce) dhe LSD (lysergic acid diethylamide). Shpeshherë përmbajtja e drogave përzihet edhe me materie të tjera, mirëpo efektin e drogës te njeriu e shkakton substanca aktive.


7. Në çfarë forme gjenden drogat?

Drogat mund të gjenden në forma të ndryshme fizike. Ato gjenden në formë të ngurtë, të lëngët dhe në formë të gjethes së tharë.


8. Si përdoren drogat?

Mënyra e përdorimit të drogave varen nga lloji i drogës dhe gjendja fizike e saj. Këto janë disa nga mënyrat e përdorimit (marrjes) të drogave: përmes gëlltitjes, tymosjes, nuhatjes, poreve të lëkurës, injektimit etj.


9. Çka është varësia nga drogat?

Varësia nga drogat është proces psikofiziologjik e cila shkaktohet nga përdorimi i vazhdueshëm i drogës. Drogat mund të shkaktojnë varësi fizike, që nënkupton se organizmi i njeriut adaptohet me prezencën e drogës dhe ndërprerja e menjëhershme e saj shkakton dhimbje fizike; si dhe vartësinë psikologjike që nënkupton sjellje të vazhdueshme apo shprehi të përdorimit të drogave për ta përmbushur nevojën psikologjike.


10. Ç’ka ndikon në jetë varësia nga Heroina?

Personit të varur nga Heroina I humb dëshira për aktivitete tjera përveç se me përdor ma shumë Heroinë. Ne shumicën e rasteve ky person detyrohet të vjedh, te gënjejnë në mënyrë që ta siguroj dozën e radhës. Njerëzit e varur nga Heroina I humbin marrëdhëniet nderpersonale sidomos me ata që janë të rëndësishëm ne jetën tyre dhe janë te pa afte të funksionojnë në jetën e përditshme.


11. Pse disa droga shkaktojnë varësi më shumë, ndërsa disa më pak?

Kjo varet prej strukturës kimike të drogës. Tek disa droga perbërja kimike e saj është e atillë që shkakton më teper dhe më shpejt varësin se sa tek disa tjera.


12. Kush e ka zbuluar drogën?

Drogat me prejardhje natyrale njerëzit i kanë përdorur për qëllime të ndryshme gjithnjë: për ushqim, për qëllime industriale, mjekësore, religjioze dhe për disa rituale fetare. Ndërsa drogat sintetike (artificiale) janë sintetizuar për herë të parë gjatë shekujve XIX-XX, p.sh. Ekstazi së pari është sintetizuar në vitin 1895, Amfetamina në vitin 1887, ndërsa LSD në vitin 1939 nga Albert Hoffman.


13. A prodhon organizmi i njeriut drogë?

Organizmi i njeriut prodhon disa substanca specifike që janë të ngjashme me drogat dhe këto quhen droga endogjene. Këtu hyjnë endorfinat dhe endomorfinat, roli i të cilave në organizmin tonë është zvogëlimi i dhimbjeve trupore dhe rregullimi i ekuilibrit emocional.


14. A mund të trashëgohen drogat?

Ne aspektin gjenetik droga nuk trashëgohet, por përdorimi i saj mund të ndikojë që nëse dikush nga rrethi familjar ka qenë ose është përdorues i drogave të nxitë personat tjerë të familjes të jenë përdorues të mundshëm të drogës.


15. A është droga sëmundje ngjitëse?

Jo, droga nuk është sëmundje ngjitëse. Drogat kanë karakter epidemiologjik vetëm në aspektin social, që do të thotë se një grup social mund të ndikojë në përhapjen e fenomenit të përdorimit të drogës duke joshur të tjerët për përdorim.


16. Si mund të vërehen personat që përdorin drogë?

Është e vështirë për t’i dalluar personat që përdorin drogë. Shpeshherë identifikimi është i pamundur ose mund të jetë i gabuar. Simptomat e përdorimit të drogës varen nga lloji i drogës, shpeshtësia e përdorimit, kohëzgjatja e përdorimit dhe personaliteti i vet përdoruesit. Disa nga shenjat mund të jenë ndryshimi i papritur i sjelljes, sjellja negative në shkollë, krijimi i shoqërisë së re, humbja e interesimit për aktivitete që më herët kanë qenë të pëlqyeshme etj.


17. Çka i shtyn njerëzit për ta përdorur drogën?

Zakonisht mendohet se njerëzit fillojnë të përdorin drogë vetëm nëse ata kanë probleme. Kjo nuk është gjithmonë e vërtetë. Ekzistojnë faktorë të ndryshëm që i shtyjnë njerëzit me përdorë drogë: personi mund të jetë kureshtar të dijë efektin që e shkaktojnë drogat, dëshira për t’i takuar grupit, për me qenë “in”, ndikimi i rrethit etj.


18. Si mundet dikush me të shty me marrë drogë?

Pa dëshirën e vetë personit askush nuk mund të të shtyjë për të përdorur drogë. Sa më saktë dhe në drejtë të jesh i informuar për drogën dhe rreziqet e përdorimit të saj, aq më vështirë është që dikush të bindë për të përdorur drogë?


19. A përmbajnë barërat (ilaçet) drogë?

Ekzistojnë disa lloje të barërave të cilat përmbajnë sasi të vogël të disa llojeve të drogave, por këto barëra përdoren vetëm për qëllime mjekësore dhe nuk mund të blihen ose përdoren pa përshkrim nga mjeku.


20. A është alkooli drogë?

Alkooli po ashtu sikurse drogat tjera është substancë psikoaktive që e shkakton vartësinë dhe tolerancën nga përdorimi saj. Alkooli gjendet në formë të lëngët. Për dallim nga drogat, pas një moshe të caktuar, përdorimi i alkoolit është legal mirëpo kjo nuk e bën alkoolin më pak të rrezikshëm se sa drogat tjera.


21. A është cigarja drogë?

Cigarja përmban substancën aktive nikotinën dhe është legale. Cigarja nuk mund të quhet drogë, edhe pse disa klasifikime e fusin atë në grupin e drogave të lehta për arsye se cigarja shkakton varësi të lehtë psikike të njerëzit.


22. A përmban filtri i cigares drogë?

Filtri i cigares nuk përmban drogë. Funksioni i filtrit të cigares është filtrimi i tymit dhe i grimcave të tjera të dëmshme të cigares gjatë tymosjes.


23. A ka drogë në formë të cigares?

Cigarja e zakonshme mund të shfrytëzohet për të marrë droga të ndryshme: p.sh. marihuana mund të mbështillet në formë të cigares. Në cigaren e zakonshme mund të futet pluhuri i heroinës ose i kokainës e cila pastaj përdoret (tymoset).


24. Çfarë forme ka Hashashi?

Hashashi gjendet në formë gjysmë të ngurtë (si forma e çokollatës) me ngjyrë kafe. Së pari imtësohet pastaj përzihet me cigare dhe merret përmes tymosjes.


25. Ku është dallimi në mes të Marihuanës dh Hashashit?

Kanabis quhet bima prej të cilës përfitohet dhe përpunohet Hashishi dhe Marihuana. Të dyja këto droga duhet të kalojnë nëpër një proces deri sa të vijë te përdorimi i tyre. Dallimi në mes tyre ekziston në koncentrimin e substancës aktive (THC). Tek Hashashi koncentrimi i kësaj substance është 5 here më i madh se tek Marihuana. Po ashtu Marihuana gjendet për përdorim në formë të gjetheve të thara ndërsa Hashashi në formë të lëngët.


26. A është Marihuana drogë e lehtë?

Thuhet se Marihuana është drogë e lehtë, mirëpo përdorimi i saj në mënyrë të vazhdueshme dhe të rëndë është i rrezikshëm. Dëmet që vijnë nga marihuana janë të shumta (probleme me frymëmarrje, ritëm i shpejtuar i zemrës, probleme me kujtesën etj) si dhe ekziston rreziku i kalimit në përdorimin e drogave të tjera. Prandaj, asnjë drogë nuk mund ta quajmë drogë të lehtë.


27. Çfarë efektesh shkakton Marihuana?

Efekti i Marihuanës varet prej gjendjes emocionale të personit në momentin e përdorimit të marihuanës. Nëse personi që përdorë marihuanë është në disponim të mirë, përdorimi i marihuanës mund të rrisë disponimin dhe e kundërta; nëse nuk ndihemi mirë në momentin e marrjes së marihuanës atëherë ajo mund të shkaktojë efekt jo të mirë që në zhargonin e rrugës quhet “bad trip”.


28. Sa zgjat efekti i Marihuanës?

Efekti i Marihuanës zgjat varësisht prej sasisë së përdorimit dhe kualitetit të saj. Mesatarisht efekti i saj zgjat 2-3 orë, ndërsa pas-efekti mund të zgjasë deri në1 orë e gjysmë.


29. Cilat janë efektet e Marihuanës në tru?

Efektet e Marihanës në tru përfshin probleme me kujtesën dhe të mësuarit, i shtrembëron perceptimet, personat që janë përdorues të Marihuanës kanë vështirësi në të menduar dhe në zgjedhjen e problemeve.


30. Çka është LSD-ja ?

LSD është substancë sintetike e cila jep efekt halucinogjen (shohim apo dëgjojmë gjëra që nuk ekzistojnë në realitet). LSD gjendet në forma të ndryshme. Forma më shpeshtë është ajo e letrës thithëse (letër e dekoruar me pamje artistike). Kjo letër zhytet në lëngun tretës të LSD-s dhe pastaj thahet për përdorim


31. Si përdoret LSD-ja?

Letra e tharë e LSD-së zhytet në lëng dhe aty e liron drogën. Ky lëng i cili përmban LSD pastaj merret përmes pirjes. Efekti i LSD-së te përdoruesi është shumë i shpejt.


32. Çka është Speed?

Speed është drogë e përpunuar në laborator me efekt stimulativ, e cila mund të gjendet në formë të pluhurit të bardhë. Ndryshe quhet Amfetaminë. Mënyrat e përdorimit të saj janë: përmes hundës dhe përmes shiringës. Personat nën ndikimin e Speed-s janë më hiperaktiv se zakonisht (me shumë energji), ndërsa pas efektit të saj speed shkakton depresion. Speed shkakton shumë dëme shëndetësore e posaçërisht dëmton trurin.


33. Si përdoret Kokaina?

Kokaina është drogë në formë të pluhurit të bardhë. Përdoret kryesisht përmes nuhatjes, inhalimit dhe përmes injektimit me shiringë.


34. A mund të përdoret Kokaina si bimë?

Bima e kokainës quhet Koka dhe mund te përdoret në mënyrë natyrale përmes përtypjes gjatë se cilës lirohen disa materie ushqyese që ndikojnë në shuarjen e urisë dhe uljen e ndjenjës së lodhjes. Fleta e papërpunuar e bimës së Kokainës nuk konsiderohet si drogë.


35. Ku rritet heroina?

Heroina është drogë gjysmë sintetike e cila përfitohet prej Morfinës. Kjo është substancë psikoaktive e cila përfitohet prej Opiumit. Opiumi nxirret nga bima e cila quhet Opium Poppy që rritet në vende të ndryshme të botës , si në Amerikën Latine, Azi etj.


36. Pse përdoret droga me shiringë?

Përdorimi i vazhdueshëm i drogës bën që organizmi gjithnjë e më tepër të kërkojë sasi më të mëdha të saj që të arrihet efekti i mëparshëm dhe kjo qon në adaptimin e organizimit ndaj drogës (organizmi zhvillon tolerancën). Mënyra e përdorimit të drogës përmes injektimit (direkt në gjak) shkakton efektin i cili quhet “flesh”. Për të arritur këtë efekt përmes injektimit nevojitet më pak sasi drogë se sa përmes mënyrave tjera të përdorimit.


37. Në cilat vende përdoret droga?

Drogat mund të përdoren në çdo vend. Disa nga drogat siç janë: Kokaina, Ekstazi përdoren në vende publike sidomos nëpër klube, party. Ndërsa përdorimi i drogave në mënyrë intravenoze kërkon hapësirë dhe vend më intim. Për këtë arsye përdoruesit iu shmangen vendeve ku mund te pengohen nga të tjerët duke shkuar në vende ku ka më pak lëvizje si: podrumet, tualetet, vende të pa banuara etj.


38. Sa kushton Droga?

Varësisht prej llojit të drogës dhe kualitetit te saj, drogat mund të kushtojnë nga 5 deri në100 euro për gram. Ky është çmimi me vlerë parash sepse droga kushton shumë më shumë. Droga të kushton me jetë dhe çka mendoni? A KA JETA ÇMIM?


39. Ku mund të blihet droga?

Drogat ilegale blihen në rrugë nga dilerët e drogës, por ka dilerë që e shesin drogën në shtëpi dhe lokale të ndryshme. Blerja, shitja dhe ofrimi i drogave ilegale dënohet me ligj.


40. A mund të blihen drogat në barnatore?

Barërat të cilat përmbajnë sasi të vogla të disa llojeve të drogave mund të gjenden në barnatore por nuk mund te blihen pa përshkrimin e mjekut. Nganjëherë këto barëra keqpërdoren, duke u përdorur me doza më të larta se sa që iu është lejuar nga mjeku.


41. A përmban Coca Cola drogë?

Jo, coca cola nuk përmban drogë. Në fillimet e prodhimit të saj, Coca Cola ka përmbajtur ekstrak të bimës coca , mirëpo kjo nuk ka pasur efekt të drogës. Prandaj nuk mund të thuhet se Coca Cola përmban drogë.


42. A dallohen përdoruesit e drogave për nga qëndrimi dhe stili i veshjes?

Nuk mund të thuhet se përdoruesit e drogës kanë një stil të veçantë veshjeje apo qëndrimi. Megjithatë, personat që përdorin për një kohë të gjatë drogë dhe janë thellë të varur nga ajo, dallohen sidomos për moskujdesjen ndaj higjienës personale.


43. A janë të gjithë përdoruesit e drogës edhe përdorues të alkoolit?

Përdoruesit e drogave kanë tendenca për përdorim edhe të alkoolit, por kjo nuk ndodh tek të gjithë përdoruesit. Në veçanti, përdoruesit e drogave në mënyrë intravenoze, siç është heroina i shmangen përdorimit të alkoolit. Ndërsa përdoruesit e kokainës e preferojnë përdorimin e alkoolit.


44. A përdorin vajzat drogë?

Drogën mund ta përdorin të gjitha njerëzit, pa marr parasysh gjininë, racë, fenë etj. Por, tek ne numri i përdoruesve të drogës të gjinisë femërore është i vogël në krahasim me përdoruesit e gjinisë mashkullore.


45. Pse përdorin drogë disa këngëtarë të famshëm ?

Jo të gjithë këngëtaret apo njerëzit tjerë të famshëm përdorin drogë. Disa prej tyre mendojnë se kur u shtirret forca krijuese me përdorimin e drogës mund të bëhen më kreativ. Shkaqet e fillimit të përdorimit të drogës te të gjithë njerëzit është e vështirë të njihen.


46. A kultivohet droga në Kosovë?

Qysh në shekullin e kaluar në Kosovë është kultivuar kanabisi i cili është përdorur për qëllime industriale, për përpunimin e konopit dhe të tekstilit. Viteve të fundit kanabisi kultivohet në sasi të vogla me qëllim te keqpërdorimit.


47. Sa përdoret droga në Kosovë?

Numri i përdoruesve të drogës në Kosovë nuk dihet saktësisht. Megjithatë, konsiderohet se numri i personave të varur nga droga mund të sillet prej 2000 deri në 5000 persona dhe nëse këtij numri ia shtojmë edhe përdoruesit e drogave tjera që nuk shkaktojnë varësi fizike sikurse janë marihuana dhe ekstazi, atëherë ky numër shumëfishohet.


48. Cila është mosha më e re e përdorimit të drogës?

Fatkeqësisht kohëve të fundit numri i personave që përdorin drogë në moshë të re është duke u rritur. Mund të themi se deri më tani, mosha më re e përdorimit të drogës është mosha 12 vjeçare.


49. Si t’i shmangemi drogës?

Marrja e informatave të drejta dhe të sakta rreth drogave që nga mosha e re është faktor me rëndësi për t’iu shmangur përdorimit të drogës. Duke u informuar dhe keshilluar për drogat dhe rreziqet e tyre përmbushet kureshtja e njerëzve për drogat dhe kjo mund të ndihmojë në shmangien e përdorimit të saj.EFEKTI / NDIKIMI.


50. A na bëjnë drogat të ndihemi më mirë?

Përveç efekteve negative të cilat ato i shkaktojnë, drogat fillimisht të bëjnë të ndihesh mirë. Njerëzit vazhdojnë të përdorin drogë për shkak të këtyre përjetimeve të mira që fillimisht shkaktohen, duke mos pasur njohuri për efektet dhe rreziqet që janë shumëfishë më të mëdha se sa disa përjetime të mira.


51. Pse përdoruesit e drogave e rrisin dozën e përdorimit?

Fillimisht përdorimi i drogës në sasi të vogla mjafton për ta arritur efektin e dëshiruar. Me përdorimin e vazhdueshëm te saj, organizmi adaptohet me prezencën e drogës dhe për ta arritur efektin e mëparshëm organizmi kërkon dozë më të madhe të përdorimit. Ky adaptim i organizmit ndaj drogës quhet Tolerancë.


52. A ka njerëz që e përdorin vetëm një herë drogën dhe nuk e vazhdojnë më kurrë?

Ne disa raste përdorimi i drogës për herë të parë shkakton përjetim ose efekt jo të mirë. Personat që kanë përjetim të tillë ndodh që nuk vazhdojnë më tutje. Por, në shumicën e rasteve personat që përdorin drogë për herë të parë vazhdojnë ta marrin atë prapë.


53. A është e vërtetë se tymosja e vetëm një cigareje (marihuanë) të nxit ta përdorësh atë në vazhdim?

Meqenëse marihuana nuk shkakton varësi fizike, personat që e përdorin njëherë në shumicën e rasteve vazhdojnë ta përdorin atë edhe më tutje. Tymosja e një cigareje nuk krijon varësi por të nxit ta përdorësh marihuanën edhe më tutje


54. A janë të rrezikshëm personat që përdorin drogë?

Kjo varet prej personalitetit dhe karakterit të personit që përdorë drogë, pastaj varet prej llojit të drogës qe ai është duke përdorur. Por personi mund te shfaq sjellje agresive sidomos gjatë kohës nuk mund ta siguroj drogën.


55. A vjedhin personat që përdorin drogë?

Personi që përdorë drogë pandërprerë dhe arrin në fazën e rëndë të varësisë fizike dhe psikike , mund të themi se shpesh herë detyrohet të vjedh për të siguruar dozën e përdorimit dhe për t’i shuar dhimbjet.


56. A janë të vetëdijshëm për veprimet e tyre personat te cilët janë nën ndikimin e drogës?

Po, personat që janë nën ndikimin e drogës janë të vetëdijshëm për veprimet e tyre (personat e tillë dënohen edhe me ligj në rast se kryejnë vepra krimi nën ndikimin e efektit të drogave). Tek përdoruesit e drogave halucinogjene shkaktohet ndryshimi i perceptimeve dhe personat që përdorin këto lloje të drogave mund të mos jenë të vetëdijshëm për veprimet e tyre.


57. A janë të aftë për punë personat që përdorin drogë?

Përdoruesit fillestarë të drogës mund të punojnë dhe të funksionojnë normalisht, por shumë shpejt përdorimi i drogës kalon në përditshmëri dhe sigurimi i drogës behet gjëja primare që personi synon ta arrijë. Kjo vërehet në paaftësinë e personit për t’iu përmbajtur rregullave dhe normave të punës dhe si pasojë mund të vijë deri te largimi nga puna.


58. A është e vërtetë se mërzia e shtyn njeriun për të përdorur drogë?

Mërzia nuk mund të jetë faktor që e shtyn personin për të marrë drogë. Për personat të cilët janë duke përdorur drogë, mërzinë e gjejnë si arsyetim për ta përdorur ende drogën.


59. A të ndihmon droga në zgjidhjen e problemeve jetësore?

JO, përkundrazi përdorimi i drogës i shumëfishon problemet jetësore. Përdorimi i drogës është problemi më i madh jetësor i përdoruesve.


60. Pse nervozohen personat kur mbesin pa drogë?

Nervoza është një term që përfshin shumë simptome. Këto mund të jenë dhimbjet fizike (trupore) dhe shqetësimet e mëdha psikike. Simptomat e tilla që shkaktohen nga mungesa e drogës në organizëm quhen “kriza”.


61. A shkakton efekt psikoaktiv marrja erë e lulës së Marihuanës?

JO, përderisa lulja e Marihuanës nuk përpunohet për përdorim, vetë marrja erë e tyre nuk shkakton kurrfarë efekti.


62. Sa zgjat efekti i Ekstazisë?

Efekti i përdorimit të ekstazisë mund të zgjasë 3 deri në 4 orë, ndërsa e ashtuquajtura faza e pas-efektit mund të zgjasë deri në 10 orë.


63. Cilat janë efektet e Ekstazisë në tru?

Përdoruesit e Ekstazisë pas një kohe të përdorimit fillojnë të kenë probleme me koncentrim, nuk mbajnë në mend , po ashtu përdoruesit e Ekstazisë kanë ndryshim të shpejt emocional, depresion, paranoja etj.


64. A është Ekstazi vdekjeprurëse?

Vdekja nga përdorimi i ekstazisë është shumë e rrallë, por përdorimi i ekstazisë në doza të mëdha shkakton dehidrimin e organizmit që mund të qoj deri te vdekja. Përdorimi i ekstazisë shkakton edhe shumë dëme tjera sikurse janë: pagjumësia, probleme me vëmendje, depresion, paranojë etj.


65. Pse ju zbehet fytyra personave që përdorin drogë?

Drogat përveç që shkaktojnë dëme të drejtpërdrejta në organizëm, ndikojnë edhe në mënyrën e jetesës tek një përdorues. Përdoruesit e drogave bëjnë një jetë jo të rregullt që manifestohet edhe në ushqim jo të rregullt, në pagjumësi etj. Të gjitha këto ndikojnë në ndryshimin e pamjes tek një person.


66. A shkakton ndryshime të zërit përdorimi i drogës?

Nën efektin e përdorimit të drogës mund të ndryshojë ngjyra e zërit, por kjo varet nga lloji i drogës që personi përdor. Tek përdorimi i drogave stimulante (p.sh kokaina), fjalët shpejtohen ose mund të mbesin në gjysmë, kurse tek përdoruesit e heroinës zëri dukshëm ndryshon dhe fjalët shqiptohen sikur personi është duke gërhitur.


67. A shkakton përdorimi i drogës të kruarën e lëkurës?

PO, përdorimi i disa llojeve të drogave shkakton të kruarën e lëkurës. Kjo ndodh kur impulset nervore shkaktojnë ndjeshmëri në lëkurë dhe tek personi krijohet përshtypja sikur diçka (insekte) po lëviz nën lëkurën e tyre. Ky efekt e shkakton të kruarën dhe në disa raste edhe prerjen e lëkurës.


68. A ndikon përdorimi i drogës në marrëdhëniet seksuale?

Përdorimi i disa llojeve të drogave nxit dëshirën për marrëdhënie seksuale, ndërsa përdorimi i disa llojeve te tjera (depresantët) në fillim shton dëshirën seksuale, por me kalimin e kohës kjo dëshirë bie dhe përdorimi i këtyre drogave mund të qoj deri tek impotenca.


69. Pse ndodh që shoku shokun ta shtyj të marrë drogë?

Ndonjëherë nevoja për shoqëri i shtyn njerëzit që t’i bashkëngjiten edhe veprimeve jo të mira të atij rrethi në të cilin gjenden.


70. Pse përdorin drogë sportistët?

Shumë rrallë ndodh që sportistët të përdorin drogë. Ata të cilët fillojnë të përdorin drogë shumë shpejt i braktisin aktivitetet e tyre sportive sepse nuk mund t’iu përballojnë përdorimit të drogës dhe disiplinës sportive. Ndodh që sportistët të përdorin substancën e quajtur dopping (substancë që e rrit performancën sportive), mirëpo kjo substancë dallon nga drogat tjera.PASOJAT


71. Pse janë të dëmshme drogat?

Përdorimi i llojeve të ndryshme të drogave shkakton dëme të ndryshme. Përdorimi i drogave lë pasoja në shumë aspekte: ndryshon funksionimin normal të organizmit dhe të mendjes, krijon varësi dhe nuk mund të funksionosh pa përdorimin e saj. Përdorimi i drogës dëmton trurin, zemrën dhe shume organe tjera të rëndësishme. Personat që përdorin drogë janë më pak të aftë të arrijnë sukses në shkollë, sport dhe në shume aktivitete tjera, ata e kanë më të vështirë të mendojnë qartë dhe të marrin vendime në të mirën e tyre. Nën ndikimin e drogës mund ta lëndosh veten dhe te tjerët.


72. A janë drogat vdekjeprurëse?

PO, drogat janë vdekjeprurëse. Çdo lloj droge që përdoret në dozë më të lartë se sa organizmi mund ta tolerojë shkakton vdekje. Përdorimi i drogës (në mënyrë intravenoze) shkakton marrjen e infeksioneve te cilat janë vdekjeprurëse p.sh. infeksioni me HIV.


73. Çka është mbidozimi (Overdoza)?

Mbidozimi është proces fiziologjik që shkaktohet në tru (në qendrën për frymëmarrje) gjatë së cilës ndërpritet frymëmarrja dhe si pasojë personi bie në gjendje kome e cila mund të përfundojë me vdekje. Mbidozimi shkaktohet si pasojë e përdorimit të drogës në sasi më të madhe se sa e lejon organizmi i njeriut.


74. A shkaktojnë te gjitha drogat overdozë (mbidozim)?

Shumica e drogave shkaktojnë mbidozim, posaçërisht drogat siç janë heroina dhe kokaina. Në raste më të rralla mbidozimin mund ta shkaktojë edhe ekstazi, ndërsa kanabisi (marihuna dhe hashishi) nuk e shkaktojnë mbidozimin.


75. Cila është droga më vdekjeprurëse?

Te gjitha drogat mund të jenë vdekjeprurëse. Por heroina është droga me rrezikshmërinë më të lartë sepse mund të shkaktojë vdekjen për disa arsye: njëra është toleranca që shkaktohet shumë shpejt (nevoja për ta rritur dozën e përdorimit), varësia e rëndë psikike dhe fizike, si dhe rreziqet tjera që kanë të bëjnë me marrjen intravenoze të saj (infeksionet me HIV, Hepatit etj.).Gjithashtu, heroina shumë lehtë e shkakton mbidozimin.


76. A mund të vije deri tek vdekja nga përdorimi i drogës për herë të parë?

Përdorimi i drogës për herë të parë mund ta shkaktoj vdekjen, sidomos tek drogat siç janë: heroina, kokaina etj. Kjo mund të ndodhë për arsye se organizimi i personit nuk mund të rezistojë në rast se doza e përdorimit është e lartë.


77. A ka mundësi që dikush të vazhdojë ta përdorë drogën deri në pleqëri?

Kjo varet se në çfarë moshe fillon personi ta përdorë drogën, sa shpesh dhe çfarë sasie e përdorë atë. Nga të dhënat e përvojës tonë mund të themi se shumë rrallë ndodh që një përdorues i drogës të arrijë moshën e pleqërisë.


78. Pse personat që përdorin drogë kalojnë nga një lloj droge në tjetrën?

Kur personat fillojnë të përdorin drogë ata eksperimentojnë me qellim që ta gjejnë drogën më të “pëlqyeshme” tek ata. Kjo përvojë me përdorimin e drogës kalon në varësi, më së shpeshti në varësinë nga heroina. Pastaj përdoruesit tentojnë ta braktisin heroinën, duke e zëvendësuar atë me droga që ata i konsiderojnë më të lehta.


79. Çka ndodh me personin i cili njëkohësisht përdorë disa lloje të drogave?

Përdorimi i njëkohshëm i disa llojeve të drogave jep efekte të ndryshme dhe në disa raste edhe efekte të kundërta si p.sh. përdorimi i përbashkët i heroinës dhe kokainës shkakton efekte të kundërta. Probleme shumë serioze mund të shkaktohen nga përdorimi i njëkohshëm i disa llojeve të drogave. Shtohen rreziqet për shkaktimin e dëmeve në organizëm si dhe rritet mundësia për çrregullime mendore të cilat mund të zgjasin gjatë gjithë jetës.


80. A është e vërtetë se ndërprerja e përdorimit të Heroinës është e pamundur?

E vërteta është se ndërprerja e përdorimit të heroinës është një proces i vështirë dhe i gjatë, por sigurisht qe është i mundur.


81. Çfarë lloje dhimbjesh shfaqen si pasojë e ndërprerjes së përdorimit të Heroinës?

Ndërprerja e menjëhershme e përdorimit te heroinës tek personat qe janë te varur nga kjo drogë shkakton shqetësime dhe dhimbje jashtëzakonisht te mëdha që zgjasin përafërsisht 5 deri ne 6 ditë e ndonjë herë edhe më gjatë për arsye se organizmi është mësuar me këtë substancë. Këto dhimbje manifestohen sidomos në nyejt e këmbëve dhe të duarve, shtrëngimin e muskujve, probleme me stomak , djersitje te shtuara dhe njëkohësisht rrëqethje. Nevoja psikologjike për ta përdorur përsëri drogën në këto raste shtohet jashtëzakonisht. Gjatë këtij procesi këta persona duken në gjendje dramatike. Mirëpo këto simptome nuk shkaktojnë dëme në organizëm përveç në raste kur ekzistojnë paraprakisht problemet me zemër.


82. Nëse nëna përdorë drogë gjatë shtatzënisë, a lind fëmija me varësi nga drogat?

Po, por fëmija lind vetëm me varësi fizike. Nënat shtatzëna që përdorin drogë e bartin drogën tek fëmija ende i palindur. Fillimisht, fëmija i porsalindur ka varësi fizike ndaj drogës dhe brenda 3 deri në 4 dite tek fëmija këto simptoma të varësisë fizike tërhiqen.


83. A lind fëmija me pasoja nëse nena ka përdorë drogë gjate shtatzënisë?

Jo, fëmija nuk lind me pasoja të shkaktuara direkt nga përdorimi i drogës.


84. Pse është i rrezikshëm shkëmbimi i shiringave?

Përdoruesit e drogës që i shkëmbejnë shiringat paraqesin rrezik si për veten ashtu edhe për të tjerët. Përdoruesit e drogave që e injektojnë dhe që i shkëmbejnë shiringat shumë lehtë mund të infektohen me HIV, Hepatiti B dhe C. Kjo paraqet rrezik edhe për transmetimin e këtyre sëmundjeve tek personat tjerë si në familjen e tyre ashtu edhe në shoqëri në përgjithësi.


85. A e shkakton përdorimi i drogës ndryshime ne fytyre

Përdoruesit e drogës kanë stil të jetuarit i cili nuk është i rregullt. Ata nuk ushqehen me rregull , kane çrregullime të gjumit, nuk e mbajnë higjienën në nivel prandaj fytyra e tyre mund të duket e zbehur. Mirëpo është shumë e vështirë të dallojmë ose vërejmë përdoruesit e drogës vetëm në bazë të pamjes së fytyrës.


86. A e shkakton përdorimi i drogës rënien e flokëve?

Jo , rënia e flokëve nuk ka lidhje direke me përdorimin e drogës.


87. A e shkakton përdorimi i drogës verbimin?

JO, përdorimi i drogës nuk e shkakton verbimin. Përdormi i drogës mund të shkaktojë probleme me të pamurit por jo edhe verbimin.


88. A mund ta shkaktojë invaliditetin përdorimi i drogave?

Përdorimi i drogave në mënyrë intravenoze mund të shkaktojë invaliditet sepse gjatë marrjes së drogave me shiringë bëhet shpimi i venave të gjymtyrëve që ndonjëherë nuk është i saktë dhe kjo mund të qoj deri tek dëmtimi i këtyre venave.


89. A mund të dëmtojë zemrën dhe enët e gjakut përdorimi i drogës?

Përdorimi i drogës mund t’i ngushtojë enët e gjakut dhe mund ta çrregullojë ritmin e zemrës sidomos tek ata persona qe kanë predispozita për sëmundje kardiovaskulare.


90. A ndikon përdorimi i drogës në marrëdhëniet familjare?

Sigurisht se pas problemeve individuale te përdoruesit e drogës shfaqen edhe problemet familjare të cilat janë të karakterit financiar dhe atij emocional. Përderisa përdoruesve iu nevojiten të holla për të siguruar drogë ata nuk hezitojnë t’i kërcënojnë anëtarët e familjes, t’i mashtrojnë ata dhe të vjedhin nga shtëpia e tyre. Të gjitha këto ndikojnë në çrregullimin e marrëdhënieve ndërmjet anëtareve të familjes, në zbehjen e komunikimit në mes të tyre dhe në distancimin emocional me njëri tjetrin.


91. A të shtyn droga drejt krimeve?

Sigurisht që drogat të shtyjnë drejt krimeve. Perdorimi I drogave është I lidhur me shumë krime siq është vjedhja, mashtrimi, trafikimi i drogës etj. Personat që janë të varur nga drogat detyrimisht vjedhin për tu furnizuar me drogë. Ndersa personat që perdorin lloje të drogave siq janë: Kokaina , Amfetamina , LSD mund të ken shperthime të dhunshme për shkak të efektit që shkaktojnë ato.


92. A duhet të kërkojnë ndihmë për trajtim personat që përdorin Marihuan?

Personat që janë përdorues të shpeshtë të Marihuanës duhet të kërkojnë ndihmë për trajtim. Trajtimi nuk kërkon intervenim me medikamente por është i bazuar në psikoterapi, që përfshin këshillim individual , terapi në grupe si dhe familjare.


93. A dënohen personat që përdorin drogë?

Jo, vetë përdorimi i drogës nuk dënohet me ligj. Ndërsa. prodhimi, posedimi dhe shpërndarja e drogës tek personat tjerë sigurisht që dënohet me ligj.TRETMANI


94. A është izolimi i përdoruesve forma më e mirë për shërim?

Kur personi shpreh dëshirë për t’u izoluar me qëllim të braktisjes së drogës, atëherë kjo mund të ketë sukses. Ndërsa, në rast të izolimit të detyrueshëm nga familja ose institucionet shtetërore, është më pak e pritur që do të ketë sukses, e në disa raste mund të ketë efekte të kundërta. Për këtë lloj tretmani, patjetër qe motivimi paraprak i personit ka shumë rëndësi.


95. A mundet që një përdorues i drogës të shërohet vet, pa ndihmën e askujt?

Edhe pse kjo rrallë herë ndodhë, është mundur. Kjo varet se sa është personi i motivuar për ta ndërprerë përdorimin e drogës, sa është fuqia e tij fizike dhe psikike për ta përballuar krizën fizike dhe nevojën psikike për përdorim e mëtejmë të drogës.


96. A mund të vdes përdoruesi i drogës si rezultat i krizës që e përjeton me ndërprerjen e menjëhershme të përdorimit të drogës?

Në disa raste shumë të rralla, kur përdoruesit kanë probleme me organe vitale si: zemra ose organet e frymëmarrjes, mund të vije deri te vdekja. Përndryshe, njerëzit vdesin duke përdorur drogë e jo duke e ndërprerë përdorimin e saj.


97. Si duhet të veprojë nëse shoku im i klasës përdor drogë?

Nëse e vërteton se shoku juaj i klasës me te vërtetë është duke përdorur drogë gjëja më e mirë është të flisni me një të rritur që i besoni. Ky person mund të jetë prindi, mësuesi ose këshilltari i shkollës. Aspak nuk do t’i ndihmonit, nëse i bashkëngjiteni duke përdorur edhe ju me qëllim që ta kuptoni ose ta përkrahni.


98. A janë përdoruesit e drogave të sëmurë mendor?

Një numër i caktuar i njerëzve kanë predispozita për të zhvilluar çrregullime mendore dhe përdorimi i drogës tek këta persona i shpejton dhe i qet në pah simptomat e çrregullimeve mendore të cilat mund të mbesin përgjithmonë. Drogat siç janë amfetamina, kokaina e sidomos LSD-ja janë droga të cilat shumë lehtë e çrregullojnë personalitetin e njeriut.


99. A përdoret droga vetëm nga të rriturit apo edhe nga të rinjtë?

Tek ne numri më i madh i personave që përdorin drogë janë të rritur. Viteve te fundit është shtuar numri i personave qe fillojnë përdorimin e drogës në rini të hershme. Sido që të jetë numri i tyre, përdorimi i drogës në rini të hershme nuk të bën të rritur.


100. A mund të bëhesh i varur nga drogat nëse dikush ta hedh drogën në ushqim ose në pije?

Hedhja e drogës në ushqim ose në pije më tepër mund të themi se është mit se sa e vërtetë. Efektin që ta shkakton droga kur përdoret pa dijeninë e personit është efekt negativ. Këtë personi mund ta vërejë në ndryshimin e gjendjes se tij fizike dhe psikike, dhe nëse nuk vazhdohet me përdorimin e drogës sigurisht se nuk mund të bëhesh i varur.


101. Cila është droga më e rrezikshme?

Të gjitha drogat janë të rrezikshme. Heroina konsiderohet si droga me rrezikshmërinë më të lartë sepse përdorimi i saj shkakton shpejtë varësinë fizike dhe psikike, tolerancën, mbidozimin, infeksionet dhe shumë pasoja tjera sociale.



muslim
muslim
Admin

Numri i postimeve : 124
Join date : 13/07/2011
Age : 29
Location : Kosovo

https://islami-rruga-evertet.forumsr.com

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye


 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi